Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të këtij qyteti, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve E.H., për veprën “lëndimi i rëndë trupor”, dhe ndaj Betim Januzit, i njohur si reperi Buta, për veprën “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Në njoftimin e Gjykatës tregohet në detaje se si ka ndodhur ngjarja në natën e 11 prillit.
Ndaj të pandehurit E.H., ekziston dyshimi i bazuar se në një rrugë në Ferizaj, saktësisht në parkingu afër lokalit E., pas një fjalosje të çastit i ka shkaktuar lëndime trupore reperit, ashtu që derisa i dëmtuari parkon veturën e tij brenda parkingut dhe derisa del nga vetura i pandehuri i drejtohet me fjalët se “ku je o B. mangupi”, pastaj e ka sulmuar me një thikë duke e goditur me dorëz të thikës në nofullën e majtë, pastaj ka tentuar ta godas me thikë në kokë, ndërsa duke u mbrojtur i dëmtuari me dorë e kap tehun e thikës me ç’rast e pret dorën dhe gjatë përleshjes rrezohet në tokë dhe lëndohet edhe në krahun e majtë me ç’rast i shkakton lëndime trupore për te cilat posedon raport mjekësor.
Ndaj të pandehurit B.J., ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në piken I, ka shkaktuar rrezik të madh për pasurinë dhe jetën e njerëzve, në një rrugë në Ferizaj, saktësisht në parkingu afër lokalit E., në atë mënyrë që derisa ishin duke u përleshur me të E.H., nga çanta e tij nxjerr një pistolet e llojit VD-9 4.0 shkrep dy herë në drejtim të tokës dhe pasi që vazhdon rrahja mes tyre, kjo pistoletë i ka rënë në tokë.
Gjithashtu, ekziston dyshimi i bazuar se B.J., ka poseduar armë në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm për armët, ashtu që ka poseduar një pistoletë e llojit VD-9 4.0 Made in USA, nr.serik GM., cal 9 mm si dhe 13 fishek për të cilën nuk kishte autorizim dhe leje nga organet kompetente dhe e njëjta i sekuestrohet.

