Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka marrë vendim zyrtar për të reduktuar kapacitetin e stadiumit “Dubočica” në Leskovc, ku më 11 tetor do të zhvillohet ndeshja Serbi – Shqipëri. Stadiumi do të jetë i hapur vetëm për 6.500 shikues, pasi kapaciteti i tij u ul me 20 për qind nga Disiplina e FIFA-s në një mbledhje të mbajtur në Majami.
Përveç kësaj, Federata e Futbollit të Serbisë është gjobitur me 80.000 franga zvicerane dhe është detyruar të paraqesë deri më 1 tetor një plan të detajuar për organizimin e ndeshjes dhe për masat kundër diskriminimit. Ky plan përfshin ndarjen e vendeve në tribuna, me prioritet për familjet, nxënësit dhe organizatat që promovojnë barazi, si dhe shpalosjen e mesazheve kundër diskriminimit gjatë ndeshjes.
Vendimi erdhi pas incidenteve të shumta të ndodhura në ndeshjen Serbi – Angli në stadiumin “Rajko Mitić”, ku u raportuan skena dhune, thirrje fyese e diskriminuese, përdorimi i simboleve të papranueshme dhe sulme nga grupe të organizuara huliganësh.
Megjithëse pritej një dënim më i ashpër, madje edhe përjashtim i mundshëm i Serbisë nga garat e FIFA-s, organi disiplinor vendosi për kufizimin e publikut dhe gjobën financiare.
Kështu, përballja mes Serbisë dhe Shqipërisë, e zhvendosur nga Beogradi në Leskovc, do të zhvillohet më 11 tetor me një publik të reduktuar. Vetëm tre ditë më pas, më 14 tetor, Serbia do të udhëtojë për të luajtur kundër Andorrës./Qendra.Info