Policia në Bujanoc ka arrestuar një të ri shqiptar, V. A. (viti i lindjes 2002), nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria e Policisë në Vranjë, ai akuzohet se ka shtënë me armë zjarri nga një veturë në lëvizje, gjatë festimeve që pasuan fitoren e kombëtares së Shqipërisë ndaj Serbisë më 11 tetor.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Bujanocit, ku mijëra qytetarë shqiptarë dolën në rrugë për të festuar me kolona makinash, valëvitje flamujsh, brohoritje dhe sirena. Në disa raste, festimet u shoqëruan edhe me të shtëna armësh, të dokumentuara në video që qarkulluan në rrjetet sociale.
Burime jozyrtare nga portali Bujanovacke raportojnë se i arrestuari është i afërm i një zyrtari policor në Bujanoc. Madje, dyshohet se të shtëna me armë janë dëgjuar edhe pranë objektit të Stacionit Policor të qytetit.
- Ndaj të dyshuarit pritet të merren masat përkatëse ligjore në vazhdim. /PreshevaPress