Përmes një postimi, Ambasada e Francës në Kosovë ka shprehur ngushëllime për familjen e rreshterit Bunjaku dhe ka theksuar rëndësinë e sjelljes para drejtësisë të atyre që qëndrojnë pas sulmit.
“Dy vite pas sulmit kriminal në #Banjska, që mori jetën e rreshterit Afrim Bunjaku, mendimet tona janë me familjen e tij. Franca vazhdon të kërkojë që autorët e këtij sulmi vdekjeprurës të sillen para #drejtësisë”, thuhet në reagim.
Sulmi i 24 shtatorit 2023, i kryer nga një grup i armatosur dhe i organizuar, u cilësua nga autoritetet në Kosovë si akt terrorist me prapavijë shtetërore nga Serbia. Deri më sot, autorët kryesorë të dyshuar, përfshirë Milan Radoiçiq, nuk janë vënë para drejtësisë.
Franca bashkohet me vendet e tjera perëndimore në kërkesën për zbardhjen e plotë të rastit dhe ndëshkimin e përgjegjësve, duke theksuar se mosndëshkimi i krimeve të tilla cenon sigurinë dhe stabilitetin në rajon.