Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë parë të enjten në mëngjes duke hyrë në territorin e Mitrovicës së Veriut, në një veprim që është përshkruar si “gabim në vendndodhje”. Lajmi është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani.
Sipas mediave serbe dhe pamjeve që qarkulluan në rrjetin Telegram, automjetet — përfshirë disa Hummer dhe kamionë ushtarakë — qëndruan në zonë për rreth 10 minuta, çka shkaktoi reagime dhe pasiguri mes qytetarëve lokalë, të cilët menduan fillimisht se bëhej fjalë për një njësi të KFOR-it.
“Automjetet ishin të FSK-së. Ata ndaluan për pak minuta në një stacion karburanti. Policia u afrua dhe i pyeti për qëllimin. Pjesëtarët e FSK-së u thanë se kishin gabuar rrugën dhe mendonin se ndodheshin në Mitrovicën e Jugut,” – deklaroi Elshani për mediat.
Ai shtoi se pjesëtarët e FSK-së nuk ishin të armatosur, ndërsa pyetjes se si është e mundur një “gabim” i tillë, iu përgjigj se kjo mbetet çështje për FSK-në.
Çfarë thotë marrëveshja me NATO-n?
Ky incident ka rikthyer vëmendjen tek angazhimi i vitit 2013, kur qeveria e Kosovës, përmes një letre të ish-kryeministrit Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u zotua se FSK nuk do të hyjë në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.
Pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së ndër vite, ky zotim mbetet ende në fuqi dhe është bazë për mospërfshirjen ushtarake në komunat veriore pa koordinim me misionin e NATO-s.
Pa reagim nga FSK
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, FSK nuk ka dhënë një sqarim zyrtar lidhur me incidentin dhe as me motivet që çuan në hyrjen e automjeteve në zonën veriore të ndjeshme politikisht dhe etnikisht.