Fushë Kosovë | Qendra.info – Një burrë është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e së mërkurës në banesën e tij në rrugën “Besa-Besë” në Fushë Kosovë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Qendra.info, viktima është identifikuar si Bajram Selmanaj, 68 vjeç.
Rasti është raportuar në polici rreth orës 19:45, pasi dhëndri i tij, i shqetësuar që nuk kishte mundur të kontaktonte me të që nga dita e kaluar, ka njoftuar autoritetet. Burimet bëjnë të ditur se dera e banesës ishte e mbyllur dhe nuk kishte asnjë reagim nga brenda.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe më pas zjarrfikësit, të cilët kanë arritur të hyjnë në banesë përmes një dritareje. Aty është gjetur trupi i pajetë i Selmanajt.
Po ashtu, në vendngjarje ka dalë edhe Prokurori i Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, i cili ka urdhëruar që trupi të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, si dhe ka autorizuar nisjen e procedurave për rastin “Hetim mbi vdekjen”.
Shkaqet e vdekjes pritet të sqarohen pas analizave të mëtutjeshme.