Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung ka shkruar në numrin e të mërkurës se si presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke shikuar që duke demonstruar afërsinë me familjen presidenciale të SHBA-së ta fitojë edhe një mandat si presidente e vendit.
Gazetari i FAZ-it, Michael Martens ka shkruar se si Osmani, duke iu afruar familjes së Donald Trumpit, po shikon ta sigurojë rizgjedhjen e saj si presidente e Kosovës.
“Por, kalkulimi i saj mund të dështojë – edhe pse ajo arriti që Kosovën ta bëjë një nga shtetet që së fundmi në Davos iu bashkuan ‘Bordit të Paqes’ enigmatik të Donald Trumpit”, ka shkruar FAZ. “Osmani u shfaq në Zvicër me krenari krah presidentit amerikan dhe që atëherë flet për arritjen e madhe që, sipas saj, përfaqëson fakti se vendi i saj u bë anëtare themeluese e këtij formacioni”.
FAZ ka shkruar se si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ia siguroi Osmanit hyrjen tek Trumpi.
“Sipas informacioneve jozyrtare nga Prishtina, ajo e ndërmori këtë hap pa u koordinuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Përkundrazi, thuhet se ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai që ia siguroi Osmanit hyrjen tek Trumpi”, ka shkruar “FAZ”.
Gazeta gjermane ka treguar se si Rama ka qasje te familja presidenciale e SHBA-së pasi ia ka dhënë dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, lejen për një projekt shumë miliardësh të pasurive të paluajtshme në ishullin e Sazanit. E po ashtu ka shkruar si Rama po shikon ta forcojë Osmanin si rivale të Kurtit.
“Kryeministri shqiptar nuk e duron Kurtin, udhëheqësin politik më popullor të shqiptarëve në Ballkan. Prandaj ai shfrytëzon çdo rast për ta forcuar Osmanin si rivale të Kurtit”, ka shkruar FAZ.
Më 4 mars është afati i fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet ta zgjedhë presidentin. FAZ ka treguar se si Osmani në mungesë të përkrahjes së brendshme po tenton të paraqitet si “kandidatja e Trumpit”.
“Osmani po e luan lojën e saj…Ajo synon një mandat të dytë dhe për këtë i nevojitet mbështetja e Parlamentit të Kosovës, deputetët e të cilit e zgjedhin kreun e shtetit. Por, këtë mbështetje nuk e ka. Gjatë viteve të fundit nuk ka arritur të sigurojë mbështetje të gjerë në Parlament. Në Prishtinë ajo përshkruhet si e vështirë në aspektin personal. Shumë bashkëpunëtorë të afërt, si ish-shefi i kabinetit të saj Blerim Vela, nuk kanë qëndruar gjatë pranë saj”, ka shkruar FAZ. “Si zëvendësim për mungesën e mbështetjes së brendshme, Osmani prej javësh po përpiqet të paraqitet si ‘kandidatja e Trumpit’. Kalkulimi është ky: SHBA-ja për Kosovën – jo vetëm përmes bazë ushtarake Bondsteel në jug të vendit, por përmes gjithë historisë së shtetit të ri – është një faktor aq i rëndësishëm, sa që ky etiketim mund t’ia sigurojë rizgjedhjen përndryshe tejet të pasigurt”.
FAZ ka thënë se një bashkëbisedues i mirë informuar në Prishtinë ka treguar se si Osmani në mënyrë indirekte “kërcënon” me Trumpin.
“Kërcënimi është: ‘Nëse nuk më rizigjdhni presidente, do të keni telashe me SHBA-në”, ka shkruar FAZ. “Disa vite më parë një kalkulim i tillë edhe mund të kishte funksionuar”.
FAZ ka shkruar se si Kosova është shteti më pro-amerikan në botë, porse edhe në Kosovë është vënë re se Washingtoni i Trumpit nuk është më ai i Bill Clintonit dhe George W. Bushit.
FAZ ka shkruar se si dëshmi që karta amerikane nuk fiton domosdoshmërish është suksesi i Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit. Vetëvendosje mori 51.1 për qind të votave.
“Fitorja është edhe rezultat i mbështetjes së fortë nga kosovarët e shumtë që jetojnë jashtë vendit, por kjo nuk ishte arsyeja e vetme që vendosi”, ka shkruar FAZ. “Dominimi i ‘Vetëvendosjes’ është i veçantë edhe për faktin se marrëdhëniet e Kurtit me Trumpin nuk janë të mirë. Kurti e ka mbështetur hapur Joe Bidenin gjatë fushatës zgjedhore në SHBA dhe në vitin 2024 kishte marrë pjesë në mënyrë demonstrative në konventën e Partisë Demokratike në Chicago. Pas fitores së Trumpit, kjo ishte gjithçka tjetër veçse e dobishme për Kosovën”.
FAZ ka shkruar se si në shtator SHBA-ja e pezulloi për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën dhe se si Ambasada Amerikane në Kosovë si fajtor e përmendi shprehimisht Kurtin.
“Për partitë opozitare kosovare kjo ishte ndihmë perfekte për fushatën. Ato trumbetonin sërish se Kurti po rrezikonte marrëdhëniet e Kosovës me mbrojtësen e saj më të rëndësishme. Por, rezultati zgjedhor tregon se kjo retorikë nuk funksionon më si dikur. Një shumicë absolute i beson Kurtit, i cili konsiderohet personalisht si i ndershëm dhe i pa korruptuar”, ka shkruar FAZ.

