Sot, në Cyrih, në selinë e FIFA-s, do të hidhet shorti i “Play Offit” të Kupës së Botës 2026, ku merr pjesë edhe kombëtarja e Kosovës, e ajo e Shqipërisë, shkruan GazetaBlic Sport.
Kosova mund të përballet me Uellsin, Sllovakinë, Çekinë e Poloninë në gjysmëfinale të “Play Offit”.
Gazetari polak, Chlebicki thotë se e njohin mirë Kosovën dhe se nuk i duan “Dardanët” në short, pasi sipas tij jemi kundërshtarë të paparashikueshëm.
“Të them të drejtën, tifozët dhe gazetarët në Poloni kanë pak frikë nga kombëtarja juaj. Ata thonë se Kosova është një kundërshtar i paparashikueshëm, megjithëse sigurisht që skuadra kombëtare polake do të ishte favorite në një garë të tillë. Polakët i njohin disa nga lojtarët tuaj, përfshirë Amir Rrahmani (i cili luajti për Napolin me Piotr Zielinski dhe Arkadiusz Milik), Mergim Vojvoda (i cili luajti për Torinon me Karol Linetty) dhe Edon Zhegrovën”, tha Przemyslaw Chlebicki për ‘GazetaBlic Sport’.
Më pas ai potencoi se trajneri aktual i Kosovës, Franco Foda ka reputacion të mirë në Poloni.
“Sigurisht, kemi edhe lojtarë të kombëtares së Kosovës në ligën polake: Dion Gallapeni nga Widzew Lodz dhe Ermal Krasniqi nga Legia Varshavë. Trajneri juaj, Franco Foda, është gjithashtu i njohur në Poloni dhe gëzon një reputacion shumë të mirë midis tifozëve të futbollit”, përfundoi ai.
Kujtojmë se shorti hidhet sot nga ora 13:00./GazetaBlic

