Pejë, 20 tetor 2025 – Kryetari aktual i Pejës dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për mandatin e katërt, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar ndaj vendimit të bashkëpartiakut të tij, Xhafer Tahiri, për të hyrë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) në Vushtrri, duke e cilësuar këtë veprim si të ngutshëm dhe të paautorizuar nga partia.
Në një lidhje telefonike në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, Muhaxheri deklaroi se Tahiri pritet të dërgohet në komisionin disiplinor të LDK-së, ku mund të merren masa ndaj tij në përputhje me statutin e partisë.
“Sepse duhet me çu në komision disiplinor, e pastaj komisioni disiplinor të marrë masa. Besoj që do të dërgohet, por duhet të veprojmë me statut. Qendra zakonisht nuk u përzihet degëve, por kërkon diskutim paraprak dhe aprovim prej kryesisë, e pastaj prej organeve tjera. Pa aprovim të qendrës nuk është bërë kurrë ndonjë koalicion. Jam shumë i befasuar, sepse nuk është normale kjo nguti e Xhafer Tahirit”, u shpreh Muhaxheri.
Kryetari i Pejës theksoi se çdo marrëveshje politike në nivel lokal duhet të koordinohet me kryesinë qendrore të LDK-së, duke kujtuar se partia gjithmonë ka respektuar hierarkinë dhe procedurat statutare.
Reagimi i Muhaxherit vjen pas debatit të hapur brenda LDK-së për koalicionet lokale në prag të balotazhit të zgjedhjeve komunale, ku disa degë kanë ndërmarrë hapa pa aprovimin e strukturave qendrore të partisë.

