Pamje tronditëse kanë dalë nga incidenti i rëndë me zjarr që ndodhi në një automjet postar në Friburg të Zvicrës, ku sipas raportimeve fillestare gjashtë persona humbën jetën. Ngjarja ka shkaktuar panik dhe reagime të shumta nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes.
Sipas raportimit të publikuar nga mediumi zviceran Blick, redaksia ka marrë shumë fotografi dhe video nga lexuesit që tregojnë përmasat e mëdha të shkatërrimit. Flakët nga automjeti postar thuhet se arrinin disa metra lartësi, ndërsa tymi i dendur ishte i dukshëm nga kilometra larg.
Në një video që ka siguruar media, dëgjohet një burrë i tronditur teksa flet në gjuhën shqipe dhe tregon se çfarë ka ndodhur.
Në video, burri pyetet se çfarë kishte ndodhur. Ai përgjigjet në gjuhën shqipe: “O nuk e di bre, po thonë që një person e ka djegur veten…”, dëgjohet tek rrëfen ai, duke shtuar se personi kishte hedhur benzinë mbi vete dhe më pas ishte vetëdjegur.
Rreth vendit të ngjarjes fluturonin pupla nga xhaketat e shkatërruara, ndërsa kalimtarët shiheshin të tmerruar nga ajo që kishte ndodhur. Kur zjarrfikësit mbërritën në vendin e ngjarjes, nga automjeti kishte mbetur vetëm skeleti i djegur.
Policia po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. Kliko ketu per VIDEO
Lidhur me rastin, ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, deklaroi për IndeksOnline se ende nuk kanë asnjë informacion nëse në mesin e viktimave ose të lënduarve – ka shqiptarë.
“Nuk kemi ende asnjë informacion. Policia nuk i ka identifikuar viktimat” pohoi shkurtimisht Latifi.
Në videot që qarkulluan dje në rrjete sociale, ku shihen flakë të mëdha teksa kaplojnë autobusin, dëgjohen britma e të folura edhe në gjuhën shqipe.
“O nuk e di bre, po thonë se një njeri e ka kallë veten” dëgjohen disa qytetarë, pak metra larg autobusit.

