Ministri i jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka shprehur “shqetësimin e tij” për shkak të, siç pretendon ai, “presioneve të reja ndaj serbëve” në Leposaviq, pasi pushteti komunal i kryesuar nga shqiptari Lulzim Hetemi ka kërkuar nga familjet e zhvendosura që të kthejnë çelësat dhe të largohen nga banesat në të cilat ishin vendosur në nëntor. Gjuriq, siç e kanë bërë zakon politikanët serb në propagandën e tyre, “ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të reagojë kundër këtyre veprimeve”, të cilat, sipas fjalëve të tij, “rrezikojnë të destabilizojnë më tej situatën në terren”, transmeton Paparaci.
“Jam thellësisht i shqetësuar për rastin më të fundit të presionit dhe frikësimit ndaj serbëve në Leposaviq, të kryer nën drejtimin e regjimit të Kurtit. Dëbimi me forcë dhe marrja e pronës nga familjet serbe përbëjnë një tjetër shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe vazhdim shqetësues i politikave që minojnë mundësitë për bashkëjetesë dhe pajtim”, ka shkruar Gjuriq në rrjetin social “X”.
Ai ka pretenduar se “veçanërisht shqetësuese” është që masa të tilla po zbatohen në një zonë me shumicë serbe nga një administratë që, sipas tij, “nuk pasqyron vullnetin apo interesat e popullsisë lokale”, duke e vendosur veriun e Kosovës “nën sundimin e një pushteti etno-nacionalist dhe diskriminues të një pakice etnike”.
Gjuriq u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të mbajnë një qëndrim të qartë dhe parimor kundër veprimeve të tilla, të cilat, siç ka pretenduar ai, “rrezikojnë të destabilizojnë më tej situatën dhe të kontribuojnë në margjinalizimin e popullsisë serbe në Kosovë”.
“Këto praktika nuk duhet të mbeten pa përgjigje”, ka përfunduar Gjuriqi./Paparaci.com