15 tetor 2025 | Tel Aviv / Stokholm — Aktivistja e njohur suedeze për klimën, Greta Thunberg, ka dhënë një dëshmi tronditëse për trajtimin që thotë se ka pësuar gjatë pesë ditëve në paraburgimin izraelit, pasi anija me ndihma për Gazën u ndalua nga ushtria e Izraelit.
Në një intervistë për gazetën suedeze Aftonbladet, Thunberg tha se ushtarët izraelitë e kishin goditur dhe shkelmuar, sapo kishte mbërritur në territorin izraelit.
“Ma grisën kapelen, e hodhën në tokë, e shkelën me këmbë dhe u shpërthyen në tërbim. Madje bënin edhe foto me mua”, – ka treguar ajo.
Aktivistja shtoi se disa nga personat e ndaluar u mbajtën në kafaze të hapura, nën temperatura të larta, derisa disa humbën ndjenjat. Sipas saj, të burgosurve u ishte ndaluar uji dhe gjumi, duke e përshkruar këtë si një formë torturimi.
Në intervistë, Thunberg publikoi edhe fotografi të valixheve të saj, mbi të cilat ishin shkruar fjalë fyese si “Kurva Greta”, së bashku me vizatime të flamurit izraelit dhe simbole seksuale — që sipas saj, ishin bërë nga rojet izraelite.
Raportet e mëparshme që tregonin se Greta ishte mbështjellë me një flamur izraelit gjatë arrestimit, ajo i konfirmoi si të vërteta.
Megjithatë, qeveria izraelite i ka mohuar të gjitha akuzat për torturë, duke thënë se Thunberg dhe aktivistët e tjerë janë trajtuar në përputhje me ligjin.
Greta ishte pjesë e flotilës humanitare “Sumud”, që transportonte ndihma për Gazën dhe synonte të sfidonte bllokadën detare të Izraelit. Rreth 450 aktivistë u arrestuan gjatë ndërhyrjes ushtarake që ndaloi anijet përpara se të mbërrinin në bregdetin e Rripit të Gazës.