Prishtinë, 14 tetor 2025 – Ish-deputeti dhe anëtari i larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi, ka akuzuar ish-partinë e tij se ka ndërhyrë në procesin zgjedhor përmes influencës së figurave publike, përfshirë këngëtaren e njohur Adelina Ismaili.
Në një intervistë për televizionin A2 CNN, Abazi tha se këngëtarja ka marrë shuma të mëdha parash nga ish-ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili aktualisht garon si kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, raporton Periskopi.
Sipas Abazit, përfshirja e Ismailit në fushatë ka qenë e qëllimshme për të ndikuar tek votuesit:
“Politika është në nivelin e manipulimit dhe orientimit të votës. Çeku ka qenë ministër në qeverinë Kurti dhe është paraqitur si kandidat në Prishtinë për të kapitalizuar orkestrimin dhe shpenzimin e buxhetit të Ministrisë së Kulturës pa kontroll.
Për shembull, kemi paraqitjen e këngëtares me famë Adelina Ismaili, e cila në natën e fundit parazgjedhore, pasi kishte marrë subvencione të jashtëzakonshme nga Ministria e Kulturës, bëri ndikim te njerëzit për votën ndaj ish-ministrit,” – deklaroi Abazi.
Ai shtoi se, edhe pse veprime të tilla “nuk janë jashtë rregullave të lojës”, ato tregojnë mungesë të lidhjes së votuesve me programin dhe cilësinë e kandidatit.
As këngëtarja Adelina Ismaili, as kandidati Hajrulla Çeku, e as Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë reaguar ende ndaj këtyre akuzave.