Në një moment kur Serbia është përfshirë nga protesta masive, bllokime rrugësh dhe thirrje të hapura për mosbindje civile nga studentët dhe qytetarët, pjesa më e madhe e opozitës serbe ka bërë një hap të qartë: bojkot i punës së Kuvendit të Serbisë. Me një zë të unifikuar, partitë opozitare kanë zgjedhur të qëndrojnë në anën e qytetarëve dhe studentëve, duke refuzuar të jenë pjesë e një parlamenti që – sipas tyre – simulon demokraci, ndërkohë që në rrugë ushtrohet dhunë dhe burgosen të rinjtë.
Në këtë moment të qartë ndarjeje mes autoritarizmit dhe opozitarizmit qytetar, mungesa e një qëndrimi publik nga Shaip Kamberi, i vetmi deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, nuk është më thjesht heshtje politike – është një akt që mund të lexohet si shmangie nga përgjegjësia.
Kamberi shpesh është perceptuar si zëri i arsyes, mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve dhe zë i pakicës në një sistem dominues. Por kjo heshtje në një moment kur nuk po kërkohen vetëm të drejtat e shqiptarëve, por po rrezikohet vetë ideja e një rendi demokratik, është zhgënjyese.
A mund të rrijë një përfaqësues i komunitetit shqiptar në Kuvend, në krah të një pushteti që po akuzohet për dhunë, burgosje të studentëve, përndjekje të qytetarëve dhe përdorim të forcave “pa simbole” për t’i frikësuar protestuesit?
Në të shkuarën, Kamberi është distancuar nga ekstremizmi dhe është pozicionuar si faktor i moderuar. Por sot, heshtja e tij është interpretuar si pajtim me status quo-në, ose në rastin më të mirë, një kalkulim i gabuar politik.
Studentët nuk po kërkojnë ideologji. Po kërkojnë që përfaqësuesit e tyre të mos legjitimojnë një sistem që po sillet me qytetarët si me armiq. Ata po kërkojnë solidaritet, të njejtën që shqiptarët në Sërbi me vite e kërkojn.
Dhe nëse një deputet nuk mund të qëndrojë me qytetarët në ditët e vështira, atëherë kujt i shërben mandati i tij?
Shaip Kamberi ka ende kohë të zgjedhë anë, indiferenca në kohë trazirash është hipokrizi.