Një hetim i gjerë i gazetës amerikane New York Times hedh dritë mbi problematika serioze në programin e vizave J-1, i cili prezantohet si një program shkëmbimi kulturor, por që në shumë raste është shndërruar në burim fitimi për organizata sponsorizuese, në kurriz të studentëve të huaj.
Mes dhjetëra dëshmive të mbledhura nga gazeta është edhe rasti i studentes nga Kosova, Ema Kurshumlija. Ajo pagoi rreth 2 mijë dollarë në vitin 2018 për të marrë pjesë në një praktikë pune në Nju Jork, me premtimin për një përvojë kulturore dhe profesionale. Në vend të kësaj, ajo u përball me mungesë trajnimi dhe orë pune që shkonin deri në 60 orë në javë, duke kryer punë të rënda fizike.
“Na u premtua një përvojë e mrekullueshme. Kur pamë çfarë na priste, ishte një tronditje e madhe”, ka deklaruar Kurshumlija.
Sipas hetimit, shumë sponsorë të programit J-1 kanë përfituar shuma të mëdha financiare, duke paguar drejtuesit e tyre me mbi 500 mijë dollarë në vit, ndërsa familjarë të ekzekutivëve kanë përfituar më shumë se 1 milion dollarë brenda dy vitesh. Studentët janë dërguar shpesh për të punuar në biznese ose ferma të lidhura me sponsorët apo drejtuesit e tyre.
Hetimi zbulon gjithashtu se pjesëmarrësit janë detyruar të blejnë sigurime shëndetësore dhe shërbime të tjera nga kompani të lidhura me sponsorët, duke e çuar koston totale të programit deri në 5 mijë dollarë për person.
Dhjetëra praktikantë kanë raportuar kushte të vështira pune në sektorë industrialë dhe bujqësorë, mungesë mbrojtjeje dhe mbështetjeje nga sponsorët, edhe në raste lëndimesh apo ngacmimesh. Një student nga Koreja e Jugut, Dongho Kang, deklaron se pagoi rreth 5 mijë dollarë për programin dhe përfundoi duke pastruar depozita septike në një fabrikë çeliku në Indiana. Të tjerë raportojnë punë në ferma derrash në Nebraska, ku ndiheshin të shfrytëzuar.
Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit Amerikan të Shtetit kishte paralajmëruar që në vitin 2000 se disa pjesë të programit ishin “jashtë kontrollit” dhe se disa sponsorë ekzistonin kryesisht “për të bërë para”. Megjithatë, sipas New York Times, rregullat nuk janë forcuar dhe nuk ka kufizime të qarta mbi tarifat që sponsorët mund të kërkojnë.
Nga ana tjetër, një përfaqësues i Departamentit të Shtetit ka hedhur poshtë kritikat, duke deklaruar se programi është reformuar ndër vite dhe se sponsorët që shkelin rregullat janë përjashtuar, ndërsa hetimin e gazetës e ka cilësuar si një “sulm të padrejtë”.
Megjithatë, për studentë si Ema Kurshumlija, përvoja mbetet një paralajmërim për të rinjtë që shpresojnë të realizojnë ëndrrën amerikane përmes programit J-1, por që shpesh përballen me realitete shumë larg premtimeve fillestare.
