Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Albin Kurti nuk është kryeministri që i duhet Kosovës.
Ai e ka kritikuar Kurtin për paraqitjen “duke u viktimizuar” sot në një proces gjyqësor si i dëmtuar në një rast të kanosjes dhe refuzimin e tij për t’u paraqitur si dëshmitar në një rast të dyshuar korruptiv më herët gjatë këtij viti.
“Zyrën e Kryeministrit e mban në mënyrë joligjore. Për këtë ekziston aktgjykimi i organit më të lartë të drejtësisë – Gjykatës Supreme, e cila qartësisht konstaton se anëtarët e Qeverisë në detyrë që mbajnë njëkohësisht edhe pozitën e deputetit janë në shkelje ligjore”, tha Hoti.
“Kur ftohet nga organet e drejtësisë për të dëshmuar në një rast të dyshuar korruptiv, ai nuk paraqitet. Në vend të kësaj, i fyen dhe i përçmon zyrtarët e drejtësisë, duke e diskredituar shtetin në sytë e qytetarëve dhe të aleatëve. Por, kur organet e drejtësisë e thërrasin për një rast të dyshuar kërcënimi ndaj tij, ai paraqitet aty pa asnjë problem, duke u viktimizuar”, tha Hoti të mërkurën.
Kryeministri në detyrë Kurti u paraqit sot në sallën e gjyqit në rastin e kanosjes ndaj tij, për të cilin akuzohen Nuredin Selmani dhe Faton Klinaku.
Mirëpo, shefi i qeverisë në detyrë ka refuzuar të paraqitet si dëshmitar në rastin e Rezervave Shtetërore, një skandal të dyshuar korruptiv të qeverisë së tij.