Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër ish-gjeneralit të ushtrisë së serbëve të Bosnjës, Radislav Krstić, i cili më herët është dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocidin në Srebrenicë.
Sipas konfirmimit nga Prokuroria në Sarajevë, Krstić akuzohet mbi bazën e përgjegjësisë komanduese për vrasjen e të paktën 44 civilëve të nacionalitetit boshnjak në shtator të vitit 1992, krime që dyshohet se janë kryer nga pjesëtarë të Brigadës së 2-të të Motorizuar të Romanijes.
Në kohën e kryerjes së krimeve, Krstić ishte komandant i kësaj njësie. Viktima më e re ishte 14 vjeç, ndërsa më e moshuara 77 vjeç. Bëhet fjalë për civilë nga fshati Novoseoce, afër Sokolacit, të cilët u ekzekutuan pasi u kapën, ndërsa pasuritë e tyre u plaçkitën dhe u dogjën.
Trupat e viktimave u hodhën në një deponi aty pranë, ku pas luftës u gjetën dhe u zhvarrosën.
Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, Krstić u gradua gjeneral dhe u bë komandant i Korpusit të Drinës, njësi që vepronte nën komandën e Ratko Mladićit. Pjesëtarët e këtij korpusi ishin drejtpërdrejt të përfshirë në pushtimin e Srebrenicës në korrik të vitit 1995 dhe në vrasjet masive të boshnjakëve të kapur, krime që janë cilësuar si gjenocid.
Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) e dënoi Krstićin në vitin 2004 me 35 vjet burg për pjesëmarrje në gjenocid. Ai aktualisht është duke vuajtur dënimin./Qendra.INFO

