Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar llogaridhënie institucionale dhe publike mbi përgjegjësinë e institucioneve shtetërore lidhur me vdekjen tragjike të 35-vjeçarit, Rrahim Latifi në Liqenin e Ujmanit.
IKD thekson se deri më tani nuk ka asnjë njoftim publik nëse institucionet kompetente e kanë caktuar Liqenin e Ujmanit si zonë për larje.
“Sipas Ligjit për Ujërat e Kosovës, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Komunat dhe Kompanitë e ofrimit të shërbimeve të ujit, me akt nënligjor cakton zonat për larje. Sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 20/2015 për kriteret për zonat për larje, ky obligim është dashur që të përmbushet më së largu deri në vitin 2018. Përcaktimi i një zone të caktuar për larje, sipas këtij Udhëzimi Administrativ, tërheq pas vetës obligimin e ndërmarrjes së nëntë (9) masave menaxhuese”.
“Për më tepër, nuk ekzistojnë njoftimet nëse larja në këtë zonë është e lejuar apo e ndaluar. Ndërkaq, situata faktike është se tash e një kohë ky liqen është duke u përdorur për larje nga qytetarët”.
Ky institut vlerëson më tej se institucionet e Kosovës në vend të përmbushjes së obligimeve ligjore përkitazi me caktimin e zonave për larje dhe ndërmarrjen e masave menaxhuese, siç kërkohet me Ligj dhe Udhëzim Administrativ, kanë proklamuar liqenin si zonë për larje.
“Zyrtarë qeveritarë, përfshirë deputetë dhe ministra, kanë shkuar vet në liqenin e Ujmanit dhe kanë shpërndarë publikisht pamje të njerëzve që lahen në liqenin e Ujmanit, duke e paraqitur atë si vend të pushimit dhe duke lënë të nënkuptohet për qytetarët se kjo është zonë për larje”.
“Liqeni i Ujmanit shërben si një nga burimet më të rëndësishme të ujit të pijshëm në Kosovë, duke furnizuar me ujë të pijshëm një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 15/2017 për kriteret për përcaktimin e zonave të mbrojtura sanitare të burimeve të ujit [neni 9.2], liqenet dhe akumulimet kategorizohen si burime ujore sipërfaqësore. Ky Udhëzim Administrativ, në asnjë nen të tij, nuk përcakton dispozita që lejon larjen e qytetarëve. Përkundër kësaj, përfaqësuesit institucional vazhdimisht kanë proklamuar Liqenin e Ujmanit si vend të lejueshëm për larje, derisa raportimet ishin se Policia e Kosovës ruante qytetarët teksa laheshin në Liqenin e Ujmanit”.
“Në gjithë këtë situatë, duke qenë në fuqi Ligji për Ujërat dhe Udhëzimet relevante Administrative, mos përmbushja e këtyre veprimeve mund të implikojë edhe përgjegjësinë e institucioneve publike në vdekjen tragjike të 27 korrikut”.
“Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ), neni 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut i obligon shtetet jo vetëm që të përmbahet nga marrja e jetës “qëllimisht”, por edhe të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës së personave që janë nën juridiksionin e tyre (Shih rastin: GjEDNj, Kalender v. Turkey, 2009, par.42)|.
Në rastin konkret, thotë më IKD, mospërmbushja e obligimeve ligjore nga institucionet, promovimi i Liqenit të Ujmanit si zonë për larje, mungesa e sinjalistikës për ndalimin e larjes dhe mosreagimi institucional, mund të ishin faktorë drejt vdekjes tragjike të 27 korrikut.
Pasditen e së martës u gjet trupi i pajetë i 33-vjeçarit Rrahim Latifit, mërgimtarit i cili që kërceu nga ura e Ujmanit më 27 korrik.