Inxhinieri dhe sipërmarrësi i njohur kosovar, Ermal Sadiku, pritet t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në ditët në vijim, raportojnë burime brenda partisë.
Sadiku, i cili është bashkëthemelues i kompanisë së njohur të teknologjisë LinkPlus, thuhet se është në fazat përfundimtare të anëtarësimit në LDK, një lëvizje kjo që vjen pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
I lindur dhe rritur në Prishtinë, Sadiku ka përfunduar studimet në inxhinieri në kryeqytet, ndërsa specializimin e ka vazhduar në Gjermani, ku ka thelluar ekspertizën profesionale. Pas kthimit në Kosovë, ai ka ndërtuar një karrierë të suksesshme si inxhinier dhe si një nga sipërmarrësit më të spikatur në sektorin e ICT-së, duke themeluar disa kompani të rëndësishme teknologjike.
Përveç angazhimit në biznes, Sadiku ka kontribuar edhe në akademi si ligjërues universitar, ndërsa ka shërbyer edhe si kryetar i Bordit të STIKK. Ai vazhdon të jetë mentor dhe trajner i shumë të rinjve që synojnë të ndërtojnë karrierë në teknologji.
Nëse ky bashkim konfirmohet, ai pritet të shihet si një përforcim i rëndësishëm për LDK-në në prag të zgjedhjeve të fundvitit.

