22 tetor 2025 — Fatos Klosi, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë (SHISH), ka treguar për herë të parë detaje nga takimi i parë mes përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), i zhvilluar në Tiranë në pranverën e vitit 1998.
Në një intervistë për emisionin “Opinion” në TV Klan, Klosi tha se CIA i kishte kërkuar personalisht organizimin e takimit, pas vëzhgimit të aktivitetit të UÇK-së në Kosovë. Sipas tij, takimi u mbajt në zyrat e shërbimit sekret shqiptar, pranë spitalit ushtarak në Tiranë.
“Isha njohur me njerëzit e UÇK-së që para daljes publike më 1997. Xhavit Haliti ishte figura më e rëndësishme. Pas kontaktit me ta, fola me CIA-n dhe ata kërkuan takim direkt,” tha Klosi.
Ai shtoi se në takim morën pjesë “dy përfaqësues të UÇK-së dhe shefi i shërbimit amerikan”.
Sipas Klosit, CIA që në fillim e kishte quajtur UÇK-në “çlirimtare”, ndryshe nga qëndrimi më i rezervuar i Departamentit Amerikan të Shtetit. Në takim u diskutuan tre çështje kryesore:
-
Financimi i pastër i UÇK-së, pa lidhje me krimin apo trafiqet;
-
Shmangia e veprimeve terroriste jashtë Kosovës;
-
Mospërfshirja e ndihmave nga grupime islamike, bazuar në përvojën e Bosnjes.
Klosi theksoi se CIA nuk kishte shprehur asnjëherë vërejtje për UÇK-në dhe se bashkëpunimi ka qenë “i hapur dhe partner”.
“Ishin sikur të ishin pjesë e jona, dhe ne pjesë e tyre. Një eveniment i jashtëzakonshëm që askush s’e kishte imagjinuar,” përfundoi Klosi.
Amerikanët ishin shumë të hapur dhe të sinqertë. E kuptonim që kishim interesa të përbashkëta — ne për Kosovën, ata për stabilitetin në rajon,” tha ish-shefi i SHISH-it.

