Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka deklaruar se procesi i integrimit evropian nuk mund të quhet i plotë pa “ribashkimin” e rajonit të Ballkanit Perëndimor me familjen evropiane.
“Integrimi i tyre në BE do ta forcojë tërësinë e Evropës. Qeveria italiane i jep prioritetin më të lartë Ballkanit Perëndimor”, tha Tajani, duke shtuar se “procesi i integrimit të tyre evropian do të jetë investimi më i rëndësishëm strategjik për Unionin”, shkruan “Ansa”.
Këto komente, Tajani i bëri në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të 80-të të OKB-së. Ai organizoi dhe kryesoi një takim të ri të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.
Në këtë format morën pjesë ministra dhe përfaqësues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Austria, Çekia, Kroacia, Greqia, Sllovakia dhe Sllovenia.