Në kuadër të “Verës së Splitit”, premiera e dramës “Jul Cezari” të William Shakespeare, në regjinë e regjisorit të ri nga Maqedonia e Veriut, Qendrim Rijani, është pritur me një reagim tepër kritik nga gazetari dhe kritiku i njohur Tomislav Čadež, i cili e ka quajtur “Shakespeare-in më të keq që kam parë ndonjëherë në hapësirë të hapur”.
Čadež thekson se shfaqja ka dështuar në pothuajse çdo aspekt: publiku nuk e ka kuptuar ngjarjen për shkak të interpretimit të paqartë dhe të çrregullt, skenografia ka shkatërruar potencialin e ambientit historik të Dioklecianit, mungonin marrëdhëniet dramatike mes personazheve, kostumet ishin të tepruara, gjuha skenike e papërshtatshme dhe mizanskena tepër e ngadaltë.
Kritiku nuk kursen as ironinë, duke përshkruar Jul Cezarin e interpretuar nga Trpimir Jurkić si një “Asterix” të lëvizshëm në skenë, ndërsa një figurë plastike gjigante, të ngjashme me Obelixin, e quan një “dranguli” të vendosur para publikut. Elemente të shtuara nga regjisori, si prania e një profete që ndalonte rrjedhën e ngjarjes, sipas tij vetëm sa e rënduan më shumë shfaqjen, duke e larguar edhe më shumë nga teksti origjinal.
Edhe pse Mijo Jurišić (Bruti) dhe Goran Marković (Mark Antoni) arrijnë të japin disa momente të mira, pjesa tjetër e trupës, sipas recenzentit, nuk arrin të dalë nga kuadri i karikaturës. “Nuk ka dramë, nuk ka suspens, nuk ka erotikë dhe as vetëdije për dimensionin politik të veprës”, shkruan ai, duke e përmbyllur me vlerësimin se bëhet fjalë për “një promašim serioz”, ku aktorët duken të papërgatitur dhe të mbërthyer nga një regji e dështuar.