Prishtinë, 08 Tetor 2025 — Gazetari dhe analisti Vehbi Kajtazi ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për ardhjen e “mijëra dronëve kamikazë nga Turqia” në Kosovë. Sipas Kajtazit, kjo deklaratë nuk është vetëm manipuluese, por tregon edhe një qasje të rrezikshme të Kurtit ndaj shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Kajtazi e cilëson Kurtin “uzurpator të shtetit” dhe e akuzon se përdor shifra të paqarta për të manipuluar opinionin publik. “Shifra ‘mijëra’ është manipuluese, pra e rrejshme. Mijëra nënkupton nga 1 mijë deri në 999 mijë. Por ai e thotë ‘mijëra dronë’ pa e përcaktuar numrin, duke e shfrytëzuar një popullatë që sipas tij përbëhet nga 45% analfabetë funksionalë”, shkruan Kajtazi.
Ai gjithashtu e konsideron Kurtin si “antiamerikan” dhe thekson se pavarësinë dhe sigurinë e Kosovës e garanton Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo qeveria aktuale.
“Lirinë dhe pavarësinë na e solli Amerika. Sigurinë na e garanton Amerika. Edhe sot kur erdhën dronët, kufirin me Serbinë na e ruan Amerika. Hapësirën ajrore të Kosovës e kontrollon Amerika nëpërmjet NATO-s. Pra, nëse Amerika, të cilën e lufton Kurti, do të donte, Kosova këta dronë do t’i mbante në magazina”, thekson Kajtazi.