Rusia duhet të pranojë një armëpushim me Ukrainën kur presidenti rus, Vladimir Putin të takohet me homologun amerikan, Donald Trump në Alaskë, deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz përpara këtij takimi historik.
Merz tha se takimi mes Trumpit dhe Putinit përfaqëson një “mundësi” për paqe dhe i bëri thirrje diktatorit rus të heqë dorë nga të gjitha parakushtet për një armëpushim dhe më pas të takohet me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Qëllimi duhet të jetë një samit në të cilin merr pjesë edhe presidenti Zelensky. Atje duhet të arrihet një marrëveshje për armëpushim. Ukraina ka nevojë për garanci të forta sigurie. Çështjet territoriale mund të zgjidhen vetëm me pëlqimin e ukrainasve”, deklaroi lideri gjerman, raporton cnn.
Kremlini më parë ka kërkuar që Kievi të dorëzojë territore të mëdha në këmbim të përfundimit të luftës, e cila filloi kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022.
Liderët evropianë janë të tensionuar përpara takimit të Trump me Putinin. Edhe pse kohët e fundit Trump ka sinjalizuar mbështetje për Ukrainën, Evropa ka frikë se Putini, një ish-agjent i KGB-së, do të arrijë ta kthejë presidentin amerikan që ta shohë luftën sipas kushteve të tij.
“Presidenti Trump tani mund të ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt paqes. Ai meriton falënderime për këtë iniciativë dhe për bashkërendimin e ngushtë gjatë ditëve të fundit”, tha Merz.
Ndryshe, Trump dhe Putin pritet të takohen sonte në Alaska me fillim në ora 2100, sipas kohës sonë lokale.