Kaqusha Jashari është ndarë sot nga jeta.
Gjatë punës për librin tim “Republika e Parë”, një histori e shkurtër politike e Kosovës nga viti 1989 deri në vitin 1999, pata privilegjin të intervistoja zonjën Kaqusha Jashari — një grua që u gjend në qendër të zhvillimeve më të rëndësishme politike në Kosovë në periudhën 1988–1989.
Intervista me të është cituar disa herë në libër, por më poshtë po publikohen për herë të parë përgjigjet e saj të plota, si një dëshmi e çmuar historike dhe si nderim për një nga zërat e rrallë politikë të asaj kohe.
INTERVISTA/ Kaqusha Jashari gruaja simbol e trazirave te para politike në
Përgjigje në disa pyetje nga Mero Baze.
Si ka nisur angazhimi juaj në politikë dhe cilat kanë qenë pozicionet tuaja të para drejtuese?
Unë jam zgjedhur për Kryetare të Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të Kosovës (KLKK) më 27 prill 1988, pas procedurave dhe konsultimeve që janë bërë në Krahinë (Kosovë), në përputhje me organet e Serbisë dhe të Jugosllavisë, sipas Statutit të Lidhjes Komuniste. Anëtare e Kryesisë së LKK-së kam qenë që nga viti 1982. Në vitin 1986 kam qenë një vit Kryetare e Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Më parë kam punuar dy mandate si kryetare e Sindikatës së Punëtorëve të Ndërtimtarisë (1975–1982). Jam me profesion inxhiniere e diplomuar e ndërtimit dhe kam punuar në një firmë ndërtimore, nga ku jam zgjedhur në Sindikatën Krahinore të Ndërtimit.
Si i përjetuat ndryshimet kushtetuese të vitit 1989 që eliminuan autonominë e Kosovës?
Ndryshimet kushtetuese të marsit 1989 në Kuvendin e Kosovës nuk kanë ardhur thjesht nga një direktivë e Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, por nga një strategji afatgjatë e përgatitur nga Serbia dhe udhëhequr nga nacionalistët serbë. Në kuadër të përtrirjes kadrovike në LKJ, Serbia kishte filluar një spastrim në institucionet shtetërore, duke vendosur figura nacionaliste nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit. Strategjia e tyre ishte të nisnin me Kosovën dhe ta shtrinin më tej në republikave të tjera, për të “serbizuar” Jugosllavinë.
Ata përdorën inskenime me mitingje dhe propagandë për të paraqitur shqiptarët si kërcënim ndaj serbëve dhe për të justifikuar marrjen e kompetencave të sigurisë nga Serbia. Ndryshimet kushtetuese u miratuan në një Kuvend të rrethuar nga ushtria dhe policia, nën presionin e aparatit të dhunës. Unë nuk kam qenë e pranishme në Kuvend, pasi isha larguar nga funksioni më 17 nëntor 1988.
A ishit e detyruar të largoheshit nga posti apo dhatë dorëheqje vullnetarisht?
Unë nuk kam dhënë dorëheqje nga posti i Kryetares së KLKK. Me qëndrimet e imponuara nga Komiteti Qendror i LKJ (i dominuar nga serbët) dhe nga Lidhja Komuniste e Serbisë, u liruan shumë funksionarë përmes votimeve me vlerësime të diktuara. Më 17 nëntor, kur është mbajtur mbledhja e Komitetit Krahinor në Prishtinë, minatorët e Trepçës erdhën për të më përkrahur dhe kërkuan të mos jepja dorëheqje. U premtova që nuk do ta bëja, por lirimi nga funksioni u realizua me presion politik.
Kam vazhduar të jem anëtare e Kryesisë deri në mars 1989. Më vonë, kur kuptova se LK nuk ishte më ajo që unë besoja, dorëzova edhe librezën e partisë. Më pas kam punuar në Drejtorinë e Rrugëve si inxhiniere dhe kam qenë ndër themelueset e Partisë Socialdemokrate të Kosovës. U pushova nga puna, ashtu si dhe shumë të tjerë që nuk pranuan pushtetin e instaluar nga Serbia.
Si e përjetuat valën e rezistencës qytetare pas ndryshimeve kushtetuese dhe krijimin e institucioneve paralele?
Ndryshimet kushtetuese u refuzuan nga populli i Kosovës. Vetëm një javë pas mbledhjes së Komitetit Krahinor, punëtorët, minatorët, studentët dhe nxënësit marshuan në këmbë drejt Prishtinës për të kundërshtuar politikën e Serbisë. Pas premtimeve të rreme, ata u shpërndanë, por protestat u interpretuan si veprime armiqësore dhe shumë intelektualë e drejtorë u burgosën.
Megjithatë, solidariteti kombëtar u forcua. Edhe pse kishte largime nga puna dhe përjashtime nga universiteti, rezistenca vazhdoi me themelimin e institucioneve paralele. Pas formimit të LDK-së në dhjetor 1989, filloi ndërtimi i pluralizmit dhe partive të tjera politike. Në vitin 1990 u mbajt referendumi për pavarësi dhe zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës. U zhvillua arsimimi në shtëpi private, u krijua shoqata “Nëna Terezë” dhe u ofruan shërbime shëndetësore.
U formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilën e përkrahëm si Parti Socialdemokrate, dhe gjatë luftës kam qenë Kryetare e PSDK-së (1998–2008).
Si e vlerësoni figurën e Rahman Morinës, një emër shumë i diskutueshëm në historinë politike të Kosovës?
Kur isha Kryetare e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, Rahman Morina ishte në krye të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SPB) dhe raportonte për gjendjen e sigurisë. Qëndrimi i tij ishte që represioni ndaj të rinjve nuk do të sillte rezultate pozitive dhe duhej orientuar shoqëria drejt edukimit. Ai ka qenë projugosllav, por jo antikombëtar.
Nuk kam besuar se do të zgjidhej Kryetar i LKK-së, pasi vinte nga strukturat e sigurisë. Megjithatë, ai u vendos në atë pozitë dhe në kohën e tij Lidhja Komuniste u shpërnda. Në të gjitha republikat e tjera LK u transformua në parti socialdemokrate, ndërsa në Serbi u bë Partia Socialiste, me Millosheviqin në krye.
Rahman Morina ishte i vetmi shqiptar që mori pjesë në themelimin e Partisë Socialiste për Kosovën në kuadër të Serbisë, gjë që për mua ishte e papranueshme. Ai u premtoi minatorëve të Trepçës dorëheqje, por nuk e mbajti fjalën. Vlerësimi im për të është negativ.
A ishit të pavarur në vendimmarrje gjatë kohës që drejtonit Partinë në Kosovë?
Po, ne kemi vepruar të pavarur nga Lidhja Komuniste e Serbisë. Koordinimi i qëndrimeve bëhej në nivel federal, në Partinë Komuniste të Jugosllavisë. Kryetarët e partive komuniste të republikave dhe krahinave ishin të barabartë dhe zgjidheshin sipas procedurave statutore.
Problemet nisën kur u paraqitën dallimet për vlerësimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Komiteti Qendror na detyroi të harmonizonim qëndrimet me Serbinë, gjë që ishte e pamundur, pasi Serbia kërkonte shuarjen e autonomisë, ndërsa ne kërkonim barazi me republikat e tjera.
Kur kundërshtuat politikën e Millosheviqit, a kishit besim se Jugosllavia mund të mbijetonte?
Unë nuk kam dhënë dorëheqje formalisht, por qëndrimi im si kundërshtare e Millosheviqit e bëri të pamundur funksionimin normal të organeve partiake. Në nivel federal, përçarjet ishin shumë të thella. Në Kosovë, anëtarët serbë në institucionet tona bojkotuan punën – disa nga përkrahja, disa nga frika dhe kërcënimet. Në fakt, kishte një ndarje të plotë në dy drejtime të kundërta politike, që paralajmëronin shkatërrimin e Jugosllavisë.