Prishtinë, 23 tetor – Komandanti i KFOR-it, gjenerallejtënant Ozkan Ulutash, priti sot në takim emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, si dhe shefin e Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.
Sipas njoftimit të KFOR-it, takimi u fokusua në situatën e sigurisë në Kosovë, stabilitetin rajonal dhe mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it për procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ulutash ka theksuar angazhimin e KFOR-it ndaj misionit të tij të mandatuar nga OKB-ja dhe bashkëpunimin e ngushtë me Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
“Vizita vuri në pah angazhimin e gjatë dhe të palëkundur të NATO-s dhe BE-së për të punuar së bashku në konsolidimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për stabilitetin rajonal,” thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Ky takim pason vizitat e mëparshme të Sorensenit me përfaqësues të KFOR-it dhe zhvillohet pas rundit të fundit të dialogut Kosovë–Serbi, mbajtur më 11 shtator në Bruksel, ku kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe çështjen e personave të zhdukur.

