Për herë të parë, një dezertuese e lindur në Korenë e Veriut ka ndërmarrë veprime ligjore kundër udhëheqësit të vendit, Kim Jong Un, duke e paditur atë për abuzime serioze të të drejtave të njeriut gjatë kohës së saj të ndalimit në vendin komunist.
Choi Min-kyung, e cila kishte ikur në Kinë në vitin 1997, u riatdhesua me forcë në vitin 2008 dhe pretendon se gjatë kësaj periudhe është përballur me tortura dhe abuzim seksual nga autoritetet koreano-veriore. Ajo planifikon të paraqesë padinë në një gjykatë të Seulit të premten, me mbështetjen e organizatës për të drejtat e njeriut Qendra e Bazës së të Dhënave për të Drejtat e Njeriut në Korenë e Veriut (NKDB).
Padia, e cila përfshin edhe katër zyrtarë të tjerë të regjimit, është e para e këtij lloji që synon udhëheqësin e Koresë së Veriut nga një qytetare e lindur në atë vend. Përveç procesit civil dhe penal në Korenë e Jugut, NKDB ka paralajmëruar se rasti do të dorëzohet gjithashtu në Kombet e Bashkuara dhe në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
“Uroj me gjithë zemër që ky hap i vogël të bëhet një gur themeli për rivendosjen e lirisë dhe dinjitetit njerëzor”, ka deklaruar Choi përmes një komunikate, duke shtuar se ndjen “një përgjegjësi të thellë dhe urgjente për ta mbajtur Kim përgjegjës për krime kundër njerëzimit.”
Choi ka arritur të arratiset sërish në vitin 2012 dhe prej atëherë jeton në Korenë e Jugut. Ajo ka treguar se vuan ende nga pasojat psikologjike të përjetimeve të saj dhe vazhdon të përdorë medikamente për trajtimin e traumës.
Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar vazhdimisht abuzimet sistematike në Korenë e Veriut, duke përfshirë shtypjen e të burgosurve politikë, dhunën ndaj grave dhe diskriminimin bazuar në klasë dhe prejardhje.
Hanna Song, drejtoreshë ekzekutive e NKDB, tha për BBC Korean se rasti është i rëndësishëm sepse, për herë të parë, paditë penale po zhvillohen në mënyrë paralele me ato civile.
“Rastet e mëparshme kanë qenë të kufizuara në padi civile”, theksoi ajo.
Në vitin 2023, një gjykatë në Seul urdhëroi Korenë e Veriut të kompensojë me nga 36,000 dollarë secilin prej tre qytetarëve koreano-jugorë që ishin mbajtur si robër lufte dhe ishin shfrytëzuar gjatë Luftës Koreane – një vendim kryesisht simbolik, pasi Pheniani i injoron zakonisht këto aktgjykime.