Ana Murganiq, shtetase serbe nga Mitrovica e Veriut, është arrestuar në Kroaci nën dyshimet për spiunazh në favor të Listës Serbe dhe shërbimeve sekrete të Serbisë. Ajo ndodhet aktualisht në paraburgim prej 30 ditësh, së bashku me partnerin e saj – një pilot i Ushtrisë Kroate dhe pjesëtar i misionit të KFOR-it në Kosovë.
Sipas mediave kroate dhe burimeve zyrtare, Murganiq ka pasur një të kaluar të thellë në institucionet ndërkombëtare që kanë operuar në Kosovë. Ajo ka qenë pjesë e misionit të UNMIK-ut dhe më vonë ka punuar edhe në kuadër të EULEX-it. Lidhjet e saj me zyrtarë të lartë – gjyqtarë dhe prokurorë të këtyre misioneve – janë tashmë objekt hetimi, pasi dyshohet se ka ushtruar ndikim dhe madje shantazh për të ndikuar në çështje të ndjeshme, përfshirë ato që lidhen me ish-udhëheqësit e UÇK-së.
Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, ka konfirmuar për gazetën kroate “Nacional” se Murganiq ishte një ish-punëtore e këtij misioni, por nuk ka pranuar të komentojë më tej mbi rastin për shkak të ndjeshmërisë hetimore.
Hetimet paraprake tregojnë se Ana Murganiq ka qenë pjesë e një rrjeti të ndërtuar nga shërbimet sekrete serbe për të infiltrarë serbë në organizata ndërkombëtare dhe organizata joqeveritare në veri të Kosovës. Qëllimi i këtij rrjeti, sipas burimeve mediatike, ka qenë sigurimi i informacioneve konfidenciale dhe dërgimi i tyre te Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e plotë të Beogradit.
Gjurmimet në telefonin e saj dhe partnerit të saj, kanë zbuluar komunikime përmes WhatsApp-it me informacione sekrete lidhur me aktivitetet e KFOR-it në veri të Kosovës – përfshirë lëvizje trupash, planet operacionale dhe çështje të ndjeshme si rasti i arrestimit të Dejan Pantiq, ish-policit të Kosovës, arrestimi i të cilit kishte shkaktuar tensione të mëdha në veri.
Burime të afërta me hetimet tregojnë se kjo nuk është hera e parë që dyshja arrestohet, por pas daljes së mesazheve të reja, ata u ndaluan sërish dhe tani përballen me akuza serioze për spiunazh dhe komprometim të sigurisë kombëtare.
Rasti është cilësuar si një alarm serioz për misionet ndërkombëtare dhe anëtarët e NATO-s që operojnë në Kosovë, duke ngritur pikëpyetje mbi filtrat e sigurisë në rekrutimin e stafit dhe rreziqet nga infiltrimi i elementëve të huaj në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë.