Formimi i koalicionit “Fytyra e Re – Drejtësia Popullore” ka shkaktuar një reagim të ashpër nga Lista Serbe, e cila thotë se bëhet fjalë për “edhe një përpjekje për instrumentalizimin politik të serbëve nga ana e Prishtinës”.
Partia “Fytyra e Re e Serbisë” (NLS) ka njoftuar se Iniciativa Qytetare “Drejtësia Popullore” nga Kosova është bërë pjesë e NLS-së.
Sipas njoftimit, ata do të veprojnë në Kosovë nën emrin “Fytyra e Re – Drejtësia Popullore” me synimin për të dhënë kontribut në luftën kundër pushtetit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por edhe kundër Listës Serbe të kriminalizuar.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se “serbët në Kosovë janë lënë në mëshirën e Millan Radoiçiqit dhe Albin Kurtit, me të cilin Lista Serbe ka marrëdhënie miqësore”, dhe se është thelbësore që serbët të luftojnë për të mbetur në institucione dhe “të mbrojnë” komunat ku janë shumicë në zgjedhje, transmeton Paparaci.
Menjëherë pas kësaj ka reaguar edhe Lista Serbe, e cila ka deklaruar se formimi i koalicionit ndërmjet Millosh Parandilloviqit dhe Nenad Radosavleviqit përfaqëson “një tjetër përpjekje për instrumentalizimin politik të serbëve nga ana e Prishtinës”.
Lista Serbe deklaroi se “e ndjek me neveri” përpjekjen e disa aktorëve politikë për të formuar struktura në Kosovë që, sipas saj, “veprojnë si dora e zgjatur e Albin Kurtit”.
“Koalicioni më i ri i formuar nga Fytyra e Re e Serbisë, e udhëhequr nga Millosh Parandilloviq, dhe e ashtuquajtura Iniciativa Qytetare Drejtësia Popullore, e drejtuar nga Nenad Radosavleviq, është një hap tjetër drejt instrumentalizimit politik të serbëve nga Prishtina dhe vendosjes së tyre nën kontrollin e Albin Kurtit”, pretendohet në propagandën e Listës Serbe.
Lista Serbe thekson se, në njërën anë qëndron Albin Kurti “që synon të eliminojë të gjithë përfaqësuesit autentikë serbë dhe të rrëmbejë institucionet nga populli serb”, ndërsa në anën tjetër është Parandilloviq, të cilin e quajnë “grabitqar politik” që, pa mbështetje në mesin e serbëve, “bashkëpunon me ata që hapur bashkëpunojnë me strukturat e Kurtit”.
Në deklaratë përmendet gjithashtu se njerëzit e përfshirë në këtë koalicion “janë të njohur prej kohësh për pjesëmarrjen në projekte që kanë për qëllim dobësimin e rezistencës serbe në Kosovë”, duke përmendur Radomiroviqin “që merr udhëzime nga Arbër Vokrri” dhe Radosavleviqin, “bashkëpunëtor i afërt i Lulzim Hetemit”.
“Bashkëpunëtorët e tyre në Leposaviq janë të përfshirë drejtpërdrejt në përndjekjen dhe frikësimin e serbëve që nuk pajtohen me pushtimin dhe ndërhyrjen e dhunshme të Prishtinës në institucionet tona”, pretendojnë në Listën Serbe.
Kjo parti ka theksuar se “nuk do të heshtë përballë përpjekjeve që, nën petkun e fytyrave të reja, të legjitimojnë ata që në realitet përfaqësojnë serbët e Kurtit” dhe u ka bërë thirrje të gjithë serbëve në Kosovë që të qëndrojnë të bashkuar dhe të dallojnë, siç thonë ata, “përpjekjet për përçarje dhe mashtrime mediatike”./Paparaci.com