Prishtinë, 20 tetor 2025 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thirrur mbledhje urgjente pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit në Vushtrri nga kandidati i saj, Xhafer Tahiri, me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Tahiri, i cili në raundin e parë të zgjedhjeve lokale doli i treti, ka nënshkruar të hënën një marrëveshje bashkëpunimi për mbështetjen e kandidatit të LVV-së, Sylejman Meholli, në balotazh – pa miratimin e Kryesisë së LDK-së.
Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në qendër të Vushtrrisë dhe u zhvillua nën prezencën e kryeministrit dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Veprimi i Tahirit, që brenda partisë po cilësohet si “lëvizje krye në vete”, ka nxitur reagim të menjëhershëm në LDK. Burime të Paparacit bëjnë të ditur se organet qendrore të partisë janë mbledhur urgjentisht për të shqyrtuar situatën dhe për të vendosur për hapat e mëtejmë ndaj kryetarit të Degës së Vushtrrisë.
Në një komunikim të brendshëm të shpërndarë të hënën nga Sekretariati i LDK-së, të cilin e ka nënshkruar zyrtarja për komunikim Gentiana Azemi, theksohet qartë se asnjë koalicion nuk është i autorizuar para certifikimit të rezultateve zgjedhore.
“Ju rikujtojmë se Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion para certifikimit të rezultateve zgjedhore. Çdo veprim individual do të trajtohet në organet më të larta partiake, sipas Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës,” thuhet në mesazhin e Azemit dërguar kryetarëve të degëve.
LDK pritet të dalë me një qëndrim zyrtar pas mbledhjes së Kryesisë, ndërkohë që brenda partisë janë shtuar kërkesat për masa disiplinore ndaj Tahirit për shkelje të vijës zyrtare të partisë

