Avokati Arianit Koci ka reaguar pas protestës së mbajtur në Prishtinë kundër Dhomave të Specializuara, duke theksuar se një protestë serioze duhet të ketë kërkesa të qarta dhe objektiva të artikuluara.
Sipas tij, mungesa e një qëllimi konkret e kthen protestën në një “ecje kolektive pa efekt politik”
Koci kujtoi se ka qenë kundërshtar i hershëm i Gjykatës Speciale dhe se i kishte kërkuar personalisht ish-presidentit Hashim Thaçi të mos e pranonte atë në formën e ofruar nga ndërkombëtarët. Ai theksoi se kjo gjykatë është themeluar mbi akuza për trafikim organesh, të cilat, sipas tij, tashmë kanë rënë poshtë, ndërsa strukturat e saj janë përjashtuese ndaj profesionistëve kosovarë, përfshirë në përkthim dhe trup gjykues.
Në analizën e tij, Koci renditi pesë kërkesa që duhen adresuar në mënyrë që gjykata të reformohet dhe të funksionojë mbi parime të drejtësisë së vërtetë. Këto përfshijnë: formimin e menjëhershëm të Kuvendit të Kosovës për të mundësuar ndryshime ligjore, përfshirjen e profesionistëve kosovarë në të gjitha hallkat e gjykatës, raportim transparent ndaj institucioneve të Kosovës, hetime të balancuara dhe ndërtimin e një partneriteti të sinqertë me faktorin ndërkombëtar.
“Ndryshimet janë të mundura vetëm me një qasje kreative dhe me partnerë ndërkombëtarë. Ata e kanë fjalën përfundimtare, por detyra jonë është t’i bindim se duam drejtësi të vërtetë – jo drejtësi të ndikuar nga armiqtë e Kosovës”, përfundoi ai.