17 tetor 2025 – Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të shumtë kanë kaluar kufirin Kosovë–Shqipëri në këmbë, të veshur me uniformat e UÇK-së, për t’u nisur drejt Sheshit “Skënderbej” në Tiranë, ku sot në orën 17:00 mbahet protesta gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, protesta kërkon drejtësi për të akuzuarit dhe mbron vlerat e luftës çlirimtare. Për lehtësimin e pjesëmarrësve, Rruga e Kombit është hapur pa pagesë për 24 orë.
Protesta ka marrë mbështetje të gjerë nga organizata të dala nga lufta. Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kosovës, deklaroi:
“Nëse ka drejtësi, krerët e UÇK-së do të lirohen dhe do të kthehen faqebardhë. Është koha që kjo re e zezë mbi Republikën e Kosovës të përfundojë.”
Edhe Shoqata e të Burgosurve Politikë, përmes kryetarit Shefik Sadiku, ka bërë thirrje për transparencë dhe drejtësi nga Gjykata Speciale, duke mbështetur protestën si mjet për të mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare.
Ngjarja pritet të mbledhë pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare dhe mërgata, duke dërguar një mesazh uniteti dhe kërkesë të qartë për drejtësi.