Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se nesër procesi mësimor do të zhvillohet normalisht në të gjitha institucionet edukativo-arsimore të kryeqytetit, si në qytet ashtu edhe në fshatra.
Në njoftim thuhet se, pas vlerësimit të Shtabit Emergjent, informacioneve të fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe koordinimit me drejtoritë përkatëse, është konstatuar se situata është e qëndrueshme për rifillimin e mësimit.
Sipas IHMK-së, intensiteti i reshjeve pritet të bie dukshëm gjatë natës, ndërsa ekipet emergjente të komunës janë në terren për të siguruar që infrastruktura shkollore të jetë e gatshme për procesin mësimor.
“Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve të Kryeqytetit”, thuhet në fund të njoftimit.

