Kongresistja amerikane, Anna Paulina Luna u zotua të enjten se do të hetojë akuzat për “turistët snajperë” që shpenzuan dhjetëra mijëra dollarë për të vrarë civilë të pafajshëm gjatë luftës së Bosnjës në vitet 1990 dhe të zbulojë nëse ka marrë pjesë ndonjë amerikan, transmeton Anadolu.
“Lidhur me ‘turizmin e dyshuar të vrasjeve’ kam hapur një hetim për këtë çështje dhe jam në kontakt me Konsullatën Boshnjake si dhe me Ambasadën Italiane”, tha kongresistja Paulina Luna në llogarinë e saj të medias sociale të kompanisë amerikane X.
Komentet e saj vijnë pas raportimeve se Italia po heton akuzat se forcat serbe të Bosnjës organizuan “safari njerëzore” për vizitorë të pasur në Sarajevë gjatë luftës së Bosnjës 1995-1995.
“Pagesa e parave për të qëlluar civilë dhe akoma më keq për të qëlluar fëmijë është një nivel i së keqes që vendi ynë nuk mund dhe nuk do ta tolerojë”, shtoi Luna, një ish-anëtare e Forcave Ajrore Amerikane e cila aktualisht shërben në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.
“Nëse ka ndonjë amerikan që është përfshirë në këtë, ata meritojnë të akuzohen dhe të ndiqen penalisht”, shtoi ajo. Prokurorët italianë po hetojnë pretendimet se disa shtetas italianë udhëtuan për në kryeqytetin boshnjak gjatë rrethimit të Sarajevës për t’u bashkuar me njësitë serbe të snajperëve dhe për të qëlluar mbi civilët për “argëtim”, raportoi media italiane.
Hetimi, i nisur nga Zyra e Prokurorit Publik të Milanos, përqendrohet te individët e përshkruar si “snajperë fundjave” të cilët dyshohet se paguan ekuivalentin e 80.000 deri në 100.000 euro për të marrë pjesë në udhëtime qitjeje gjatë rrethimit.
Sipas një raporti në “La Repubblica”, burrat nuk ishin ushtarë por “turistë lufte radikalë të ekstremit të djathtë”.
Gjatë rrethimit tre vjet e gjysmë, në të cilin forcat serbe rrethuan dhe bombarduan Sarajevën, u vranë më shumë se 11.500 civilë, përfshirë 1.601 fëmijë ndërsa trashëgimia kulturore dhe infrastruktura e qytetit pësuan dëme të mëdha.
Gjatë luftës së Bosnjës 1992-1995, forcat serbe, të mbështetura nga ushtria jugosllave dhe njësitë paramilitare, nisën fushatë të spastrimit etnik kundër muslimanëve boshnjakë. Deri në fund të luftës, më shumë se 100.000 njerëz u vranë dhe rreth 2 milionë të tjerë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

