Në DailyClick zëvendësdrejtori në largim i NP “Rrugët Shtetërore” Nazim Taipi theksoi se në segmentet Tetovë-Gostivar dhe Gostivar-Bujkoçan por punohet intensivisht dhe se janë arritur rezultate të mira për shpronësimet, por Taipi ka mëdyshje për neglizhencë në segmentin Trebenishtë-Qafë Thanë, për të cilin tha se është në pikën zero, sepse ende nuk ka projekt se nga do të kalojë traseja.
“Është e vërtetë se ka kritika nga UNESKO, por është detyra jonë të gjejmë një zgjidhje, sepse nuk mund ta lëmë dhe neglizhojmë se kjo merr kohë shumë. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje dhe duhet të ketë vullnet për ti ecur proceset sa më shpejtë dhe për të gjetur zgjidhje sa më shpejtë”, tha Nazim Taipi, Zv/Drejtor Np “Rrugët Shtetërore” (Në largim).
Në pikën zero, sipas Taipit, është edhe puna për projektin e rrugës Tetovë-Prizren. Deri më tani ka vetëm një memorandum mes dy shteteve dhe është formuar një grup punues, por siç shton, punët shkojnë shumë ngadalë, andaj as nuk duhet pritur që do të bëhet për 4 vjet.
“Unë nuk e besoj aspak se kjo do të bëhet brenda këtij mandati, është mirë që ka filluar.
-Në katër vitet e ardhshme do me thënë të mos e presim…
-Jo nuk do të ketë diçka brenda katër viteve të ardhshme”, pohoi Nazim Taipi, Zv/Drejtor Np “Rrugët Shtetërore” (Në largim).
Sa i përket rrugës Shkup-Bllacë, Taipi tregoi se sipas informacioneve që i ka, Ministria e Transportit ka lëshuar urdhër tek Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore që të shihet një variant tjetër, ndryshe nga ai që e kanë trashëguar nga qeverisja e kaluar, që është gati – në fazë parakualifikimi. Ai shton se propozimi i Ministrisë është që rruga Shkup-Bllacë të mos jetë autostradë, por rrugë ekspres – dy gjëra që, sipas tij, nuk mund të krahasohen.
“Unë mendoj se bëjnë harxhime kot se ky varianti i ri duhet të fillohet nga fillimi, duke nisur nga faza e fizibilitetit, projektimit dhe deri te realizimi duhet të kalojnë më së paku 4-5 vite, e ndoshta edhe më shumë”, u shpreh Nazim Taipi, Zv/Drejtor Np “Rrugët Shtetërore” (Në Largim)
Taipi u bë zëvendësdrejtor i ndërmarrjes “Rrugët Shtetërore” si kuadër i ASH-së së Taravarit, në kuadër të koalicionit VLEN. Tani që ASH-ja përfundimisht vendosi ta lëshojë Qeverinë, Taipi në DailyClick tha se një prej arsyeve për këtë vendim është edhe neglizhenca e Qeverisë në realizimin e projekteve që janë në interes të popullatës shqiptare. /tv21.tv