Veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës nuk e shtrojnë rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Ky mesazh ka përshkuar adresimin e djeshëm të Komisioneres për Zgjerim Marta Kos, e cila dialogun e ka konsideruar si të vetmen mënyrë për anëtarësim drejt BE-së.
“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është kërkesë thelbësore. Veprimet e njëanshme nuk mund ta zëvendësojnë dialogun,” ka thënë Kos para anëtarëve të Parlamentit Evropian
Në sesionin e Komitetit për Çështje të Jashtme, ajo ka theksuar gatishmërinë e Komisionit Evropian për të përgatitur një opinion për sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim, raporton Nacionale, transmeton Periskopi.
Pavarësisht se ishte dorëzuar më 15 dhjetor 2022, aplikimi nuk është shqyrtuar ende, duke bërë që Kosova të jetë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat.
Në fjalën e saj, Kos po ashtu bëri thirrje për formim të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës.
“Një qeveri dhe kuvend funksional janë jetikë që Kosova të përfitojë nga Plani i Rritjes të BE-së,” ka shtuar ajo.
Në fund, duke përsëritur përkushtimin e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, Kos ka thënë se “dera mbetet e hapur, por çelësi është te dialogu dhe demokracia funksionuese.”