Bruksel, 17 tetor 2025 – Komisioni Evropian ka miratuar pagesat e reja për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi nga Paketa e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke e lënë Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën jashtë listës së përfituesve.
Sipas vendimit, Shqipëria do të marrë rreth 99.3 milionë euro, si pjesë e këstit të dytë të fondeve të parapara për reformat dhe zhvillimin ekonomik.
Në anën tjetër, Kosova edhe pse ka përmbushur kushtet teknike dhe ka miratuar agjendën e reformave që në vjeshtën e vitit të kaluar, nuk mund të marrë pagesat për shkak të krizës institucionale dhe mungesës së marrëveshjes formale me BE-në, e cila duhet të ratifikohet me dy të tretat e votave në Kuvend.
Edhe Bosnja e Hercegovina mbetet jashtë, pasi ende nuk e ka miratuar Planin e Rritjes dhe agjendën e reformave.
Komisioni Evropian ka paralajmëruar se fondet janë me afat të kufizuar dhe se mjetet që nuk përdoren nga një vend do të ri-destinohen për shtetet që i përmbushin kushtet.
Kjo paketë synon të nxisë reformat, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të rajonit, por Kosova rrezikon të humbë miliona euro nëse nuk zgjidhet bllokada politike.