Qeveria e Kosovës ka konfirmuar nisjen e hetimeve paraprake lidhur me incidentet me armë zjarri në kufirin me Malin e Zi, pas një note verbale të dërguar nga Podgorica Ambasadës së Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka thënë për Radio Evropa e Lirë se autoritetet e Kosovës janë njoftuar përmes kanaleve diplomatike dhe se Policia Kufitare ka patrulluar menjëherë në zonën e Shtedimit. Megjithatë, sipas tij, nuk janë gjetur dëshmi materiale që konfirmojnë vendin ose rrethanat e të shtënave.
Mali i Zi ka raportuar se incidentet janë regjistruar pranë qendrës së skijimit Hajlla-Shtedim, afër kufirit mes dy shteteve. I pari ka ndodhur në korrik të vitit të kaluar, kur u dëmtua kabina e qendrës së skijimit, ndërsa i dyti më 24 gusht të këtij viti, kur u qëllua në drejtim të një objekti të saj. Për këto raste, autoritetet malazeze kanë hapur procedura hetimore.
“Me udhëzim të Prokurorisë Themelore në Pejë, kanë nisur hetimet paraprake për identifikimin e autorëve të mundshëm, duke u mbështetur edhe në informacione nga burime lokale”, deklaroi Kryeziu.
Ai shtoi se Policia e Kosovës është e gatshme të organizojë takime me autoritetet malazeze për intensifikimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e informacioneve operative dhe parandalimin e dukurive negative përgjatë kufirit. Vetëm këtë vit, sipas tij, janë zhvilluar 30 patrullime të përbashkëta mes dy vendeve.
Nga ana tjetër, Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, tha se nuk ka asnjë informacion për incidente të sigurisë në kufi, duke theksuar se policia rajonale është më shumë e angazhuar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Kosova dhe Mali i Zi e kanë nënshkruar marrëveshjen për demarkacionin në vitin 2015. Mali i Zi e ratifikoi atë të njëjtin vit, ndërsa Kosova vetëm tre vite më vonë.
👉 Për lajmet më të fundit ndiqni qendra.info.