Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur afatet zyrtare për subjektet politike që synojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të caktuara për 28 dhjetor 2025.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, subjektet politike duhet të dorëzojnë aplikimin online për certifikim nga 24 nëntori deri më 30 nëntor. Kjo procedurë duhet kryer përmes platformës elektronike të KQZ-së, në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar.
Ndërkohë, lista me kandidatët për deputetë duhet të dorëzohet jo më vonë se 7 dhjetori, duke i lënë subjekteve një afat dyjavor për finalizimin e emrave.
Elezi sqaroi se afatet janë shkurtuar, pasi KQZ ka vetëm 37 ditë në dispozicion për organizimin e tërë procesit zgjedhor. Ai theksoi se aplikimet për subjektet dhe kandidatët do të bëhen njësoj si në proceset e kaluara — online — dhe të gjithë kandidatët do t’i nënshtrohen verifikimit ligjor para certifikimit.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 9 shkurtit, KQZ kishte certifikuar 28 subjekte politike me gjithsej 1,279 kandidatë për deputetë.
