Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lëshuar një sqarim zyrtar pas akuzave për manipulim me vota në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Mitrovicën e Jugut, ku procesi u ndërpre disa herë gjatë ditës për shkak të dyshimeve për mospërputhje në fletëvotime.
Në njoftimin e KQZ-së thuhet se pas verifikimeve të bëra, është konstatuar se bëhet fjalë për një gabim teknik gjatë shtypjes së kodit të vendvotimeve, i cili ka prekur disa dengje të fletëvotimeve si në Mitrovicë të Jugut ashtu edhe në Gjakovë.
Sipas KQZ-së, kompania që ka shtypur fletëvotimet ka pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vendos të dhënat variabile në fletëvotim. Kompania do të dërgojë raport të detajuar në ditët në vijim.
KQZ thekson se integriteti i procesit zgjedhor nuk është cenuar, pasi numrat serikë amë përputhen me listat e fletëvotimeve të pranuara dhe të verifikuara.
“Ky gabim teknik nuk ndikon në asnjë mënyrë në procesin e votimit apo numërimin e votave. Fletëvotimet përmbajnë elemente sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin e tyre,” thuhet në njoftim.
Ndërkohë, në Mitrovicë situata mbetet e tensionuar pas dy ndërhyrjeve të Prokurorisë dhe ndaljes së përkohshme të procesit të numërimit, pas akuzave për manipulime dhe të ashtuquajturin “tren qeveritar”.
Hetimet po vazhdojnë./Qendra.INFO

