12 tetor 2025, – Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se sonte do të nisë numërimi i votave për kandidatët për kryetar të komunave, ndërsa nga nesër do të fillojë numërimi i fletëvotimeve për asamblistë.
“Në 19:30 do të kemi të dhëna preliminare për pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje. Besojmë që brenda një kohe të shkurtër pas mbylljes së vendvotimeve do të mund të fillojë procesi i numërimit të fletëvotimeve. Sipas ligjit, së pari numërohen votat për kryetar të komunave dhe më pas ato për kuvendet komunale. Votat për anëtarët e kuvendeve komunale do të numërohen nga nesër në qendrat komunale të numërimit,” – tha Elezi për RTK.
Ai shtoi se këtë herë përditësimet e të dhënave kanë qenë më të shpeshta, krahasuar me zgjedhjet lokale të kaluara.
“Krahasimi bëhet me zgjedhjet lokale sepse kanë veçori të ndryshme. Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të këtij viti kemi pasur 1,200 kandidatë për deputetë, ndërsa në zgjedhjet lokale kemi 205 kandidatë për kryetarë dhe më shumë se 4,000 kandidatë për kuvendet komunale,” – tha Elezi.