Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se PDK nuk do të marrë mandatin për të krijuar Qeverinë Kurti 3, duke theksuar se asnjë parti nuk ka shumicën parlamentare.
“Kjo është rruga e vetme – zgjedhjet. Presidentja duhet të na ftojë për diskutime që tash, sepse ne nuk kemi shumicën dhe nuk mund të marrim mandat,” tha Krasniqi për Klan Kosova.
Ai shtoi se nuk ka nevojë të presin 10 ditë për procedurat, dhe se pas herës së dytë, nëse nuk arrihet shumica, Kuvendi shpërndahet automatikisht.
Krasniqi gjithashtu konfirmoi se Vetëvendosja kishte tentuar të kontaktojë deputetë të PDK-së për të votuar Qeverinë, por sipas tij, përpjekjet dështuan.

