Kryediplomati gjerman, Johann Wadephul, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka mbajtur një konferencë për media ku ka shprehur shqetësimin e tij për ngecjen e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Wadephul tha se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është thelbësor për normalizimin e marrëdhënieve dhe ka theksuar se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet në tërësi nga të dyja palët.
“Gjermania e mbështet dialogun e udhëhequr nga BE mes Kosovës dhe Serbisë. Ky proces ka ngecur kohëve të fundit dhe është me rëndësi që shumë shpejt të ketë përparim konkret. Marrëveshja e Ohrit, që i përmban të gjitha elementet relevante për normalizim, duhet të zbatohet shpejt dhe plotësisht. Këtë e presim nga të dyja palët,” theksoi ai.
Ai u ndal edhe te obligimet e Kosovës, duke nënvizuar se një ndër hapat kyç është nisja e procedurave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Për Kosovën kjo nënkupton që të merren hapat e nevojshëm për themelimin e Asociacionit. Dialogu duhet të vazhdojë me vullnet për mirëkuptim — kjo është kërkesa jonë për qeveritë e të dy vendeve,” deklaroi Wadephul.

