Presidenti amerikan Donald Trump ka pritur në Shtëpinë e Bardhë këtë të martë kryeministrin kanadez Mark Carney. Edhe këtë herë, Trump nuk hezitoi të deklaronte se ende beson që Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara.
“Kur shikon përfitimet për qytetarët kanadezë – taksa më të ulëta, mbrojtje ushtarake falas, kujdes shëndetësor të jashtëzakonshëm – është një marrëveshje fantastike,” tha Trump. Ai shtoi se si zhvillues i pasurive të paluajtshme e sheh bashkimin e dy vendeve si “diçka që ishte e shkruar të ndodhte”.
Megjithatë, Kryeministri Carney reagoi menjëherë: “Siç e dini nga “real estate”, ka vende që nuk janë kurrë në shitje. Kanadaja është një prej tyre.” Ai theksoi se forca e marrëdhënies mes dy vendeve qëndron në partneritetin, jo në bashkimin politik.
Carney vlerësoi angazhimin e Trump për sigurinë ndërkombëtare dhe NATO-n, duke premtuar rritje të investimeve në mbrojtjen kanadeze. Por për idenë e “bashkimit”, qëndroi i palëkundur.
Trump e mbylli me një batutë: “Kurrë mos thuaj kurrë”, duke lënë të kuptohet se ideja, sado e pazakontë, mund të mbetet në tryezë.