Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka reaguar pas arrestimit të Behar Preniqit në Serbi, duke quajtur këtë veprim si “agresion juridik” ndaj shtetit të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Kryeziu ka vënë në pah dy dimensione të rastit, atë individual, që ka të bëjë me arrestimin e Preniqit pa fakte, dhe atë kushtetues, që paraqet një përplasje mes autoriteteve të dy shteteve.
Ai ka theksuar se pjesëmarrja në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk është dhe nuk guxon të trajtohet si krim dhe se shteti i Kosovës nuk duhet të përfshihet në mbrojtjen individuale të Preniqit, por të adresojë dimensionin e gjerë të problemit, agresionin juridik të Serbisë.
“Arrestimi i Behar Preniqit është akt i agresionit juridik ndaj Kosovës, përkatësisht luftim i pavarësisë dhe sovranitetit të saj. Serbia më nuk është duke arrestuar vetëm ish pjesëtarët e UÇK-së si të dyshuar për krime të caktuara gjatë luftës, por tani ka nisur t’i arrestojë ata thjesht sepse ishin pjesë e luftës çlirimtare”, ka shtuar ai, duke paralajmëruar se qasja e re e Serbisë mund të zgjerohet ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës që kanë punuar apo punojnë në institucionet e shtetit.
Behar Preniqi është arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimin për pjesmarrje në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës./gazetametro.net