Në LVV duket se po shpresonin për një president nga familja Jashari. U tha se anëtarë të kësaj familjeje ishin emrat e vetëm për të cilët ka “konsensus automatik” në shoqëri. Murat Jashari, emri i të cilit u duk se nuk po përmendej më vetëm në nivel spekulativ, iu dha fund dilemave të mërkurën pasdite: “nuk e bëj”. Ky refuzim duket se po e kthen në pikën zero diskutimin për Presidentin e ri.
Anëtarë të familjes së komandantit simbol të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, u konsideruan nga ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si emrat e vetëm për të cilët ka “pritje pozitive” dhe “konsensus automatik në shoqëri” për pozitën e Presidentit.
“Deri tash të vetmit emra që kanë shkaktuar automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë, është një president nga radhët e familjes së nderuar Jashari”, tha ai të mërkurën në drekë në një prononcim për gazetarët.
Ai tha se s’mund të fliste nëse për këtë ka vullnet nga familja Jashari.
“Nuk mund të flas për këtë gjë. Duhet të shkoni atje dhe ta merrni përgjigjen. Nuk jam unë këtu që të supozoj”, tha Konjufca.
Vetëm pak orë më vonë, Murat Jashari, emri i të cilit është bërë e zakonshme të përmendet çdoherë kur Kosova duhet ta zgjedhë një president, e shoi çdo supozim.
“Më shumë se gjithçka, për mua si Murat është emri i familjes Jashari. Ajo është barrë e madhe mbi supe dhe unë nuk e kam të drejtën as morale as profesionale me e futë emrin e familjes Jashari në kalkulime politike ose për poste publike”, tha ai për VOX Kosova.
Profesori i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës nuk e ka përmendur kurrë këtë si ambicie të tij, por dikush gjithmonë e përmend atë. Ai tha se partitë “po shpresojnë”, por edhe se ua ka bërë të qartë se ai nuk do.
“Partitë po shprehin gatishmërinë e tyre, ato po shpresojnë në këtë çështje. Unë i falënderoj që ata na besojnë ose më besojnë për pozita të tilla. Por ua kemi bërë të qartë, ose ua kam bërë të qartë se cilat janë arsyet pse unë nuk e bëj. Sepse mbi supet e mia rëndon një barrë e madhe, dhe këtë s’guxoj ta fus në lojë”, tha ai.
Pas tij, edhe Bekim Jashari, ish-kryetar i Komunës së Skënderajt, tha se e mban të njëjtin qëndrim me djalin e axhës.
“Nuk kam çka t’i shtoj kësaj, asnjë pikë apo presje”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Kryeministri Albin Kurti të dielën në mbrëmje ishte në Prekaz të Skënderajt për t’u takuar me Rifat Jasharin, vëllain e heroit Adem Jashari dhe babanë e Murat Jasharit. Duke e konfirmuar këtë vizitë një ditë më pas, ai nuk mohoi se atje u diskutua çështja e Presidentit. Tha se kishin biseduar për “zhvillimet politike, për shumë çështje”.
Një takim i Kurtit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, vizita e tij në Prekaz po atë natë dhe një tjetër takim tjetër të nesërmen me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku janë deri më tani të vetmet përpjekje të ditura për çështjen e Presidentit.
Ndërkohë që Vjosa Osmani po kërkon edhe një mandat në karrigen e shefes së shtetit, në LVV thonë se s’kanë mbledhur nënshkrime, se s’kanë kandidatë dhe se nuk duan të imponojnë.
“Ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askënd, për shkak se edhe nëse ne i mbledhim nënshkrimet, ne mund të mbërrijmë në rastin më të mirë teorik te numri 66, i cili është aq larg numrit 80. Nuk e mbërrijmë dot. Prandaj kot ne mund të nxjerrim kandidat”, tha Kurti të hënën kur u pyet për Osmanin.
Konjufca tha se janë bindur se “nuk ka mundësi përmes një emri që propozohet, një emri të njëanshëm, ta marrim edhe votën e garantuar të opozitës për t’i bërë 80 vota”.
“Pra, konkludimi është që përmes një emri të përveçëm ne mos me e mbështetë për muri opozitën, me thënë ‘ky është dhe këtë duhet ta votoni’”, tha ai të mërkurën në një konferencë për media.
Në një përllogaritje të bërë para gazetarëve të hënën, Kurti tha se “për të pasur sukses zgjedhja e Presidentit, shfaqet e nevojshme që t’i kemi diku 84-85 deputetë, jo 80 ose 81, sepse është rrezik i madh që mungojnë një ose dy dhe s’ia del dot, duhet të shkosh në zgjedhje në prill”.
Tha se as vetëm një marrëveshje LVV-LDK për presidentin, s’është formulë e sigurtë.
“Duhet ta kuptoni një gjë, që edhe Vetëvendosja 66, me partnerët me të cilët ka garuar bashkë dhe me pakicat që na janë bashkëngjitur mandej, kur ia shton edhe 15 deputetë të LDK-së, bëhet 81. Pra, mezi. Edhe 81-shi nënkupton që bash asnjë deputet, as i Vetëvendosjes, as i LDK-së, as i pakicave, nuk bën të të dështojë. Ose e thënë më saktë, mund të dështojë një, por jo dy. Prandaj edhe Vetëvendosja me LDK-në nuk është një formulë e sigurtë që ne ta tejkalojmë këtë çështje dhe të mos detyrohemi të shkojmë sërish në zgjedhje”.
Në PDK thonë se nuk e votojnë Vjosa Osmanin.
Vlora Çitaku tha mbrëmë në Pressing se do të jenë në sallën e Kuvendit dhe do të votojnë “vetëm nëse kemi një kandidat konsensual”, Ndryshe, ajo tha se “nuk marrim pjesë në votim”.
Kurti në fillim të kësaj jave u shpreh optimist se “në këto ditët e pakta të mbetura do të mund të gjejmë zgjidhje” për Presidentin. Deputetët kanë afat deri më 4 mars për ta zgjedhur atë.
Kurti, Hamza e Abdixhiku mund të takohen sërish për çështjen e Presidentit. Abdixhiku tha të hënën pas bisedimeve me Kurtin në Kuvend se për emrat konkret do të flisnin “në takimet e ardhshme”./Gazeta Express

