Nëntor 1908 – Katër batalione osmane nuk arritën ta mposhtnin Isa Boletinin.
Më 25 nëntor 1908, konsulli austro-hungarez në Mitrovicë, Adolf Ritter von Zambaur, njoftonte ministrin e jashtëm Aehrenthal për një aksion të forcave osmane kundër Isa Boletinit.
Sipas raportit të konsullit, ishte domethënëse për rrethanat në terren dhe për vlerën reale të trupave osmane, se edhe nën regjimin e ri, katër batalione — një me këmbësorë, dy me nizamë dhe një i kombinuar nga Novi Pazari — të mbështetura me disa topa, nuk arritën ta mposhtnin Isa Beun, i cili ishte i ngujuar në kullën e tij në Boletin me vetëm 10–15 shqiptarë.
Pas një shkëmbimi zjarri që zgjati 24 orë, ky grup i vogël arriti të çajë rrethimin dhe të largohej natën mes 22 dhe 23 nëntorit, duke lënë pas tre të vrarë.
Ushtria osmane pati shtatë të vrarë dhe pesë të plagosur. Dy batalione nisën ndjekjen e Isait drejt fshatit Selacë në veri të Mitrovicës, por pa sukses. Thuhej se ai ishte larguar në drejtim të kundërt, tek miqtë e tij në rrethin e Pejës.
Burimi: Politika dhe shoqëria në Vilajetin e Kosovës dhe në Kosovën e sunduar nga serbët. Raporte të konsujve austro-hungarezë nga Ballkani qendror (1870–1914), botuar nga Akademia Austriake e Shkencave, Vjenë 2020.
Edituar nga Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz.
(Përkthyer dhe përgatitur nga Enver Robelli)

