Punëtorët po vdesin, po sëmuren dhe po varfërohen, ndërsa shfrytëzimi i tyre trajtohet si rregull dhe jo si krim. Në Preshevë, padrejtësia nuk fshihet më pas justifikimeve ligjore apo statistikave të zbukuruara – ajo ndodh hapur, çdo ditë, para syve të të gjithëve. Ata që mbajnë gjallë fabrikat, kantieret dhe bizneset mbesin pa sigurim shëndetësor, pa kontrata dhe pa mbrojtje, ndërsa pronarët ruajnë privilegjet e tyre. Ky nuk është dështim aksidental i sistemit, por një model i qëllimshëm që ushqehet nga heshtja dhe frika.
Në Preshevë disa kompani të mëdha dhe fabrika vazhdojnë të shfrytëzojnë punëtorët duke mos paguar kontributet për sigurimin shëndetësor. Ata lodhen, rrezikohen dhe japin çdo ditë energjinë e tyre për të mbajtur biznesin gjallë. Ndërkohë pronarët “harrojnë” të paguajnë sigurimet për punëtorët ndërsa nuk harrojnë kurrë të paguajnë sigurimet për familjarët e tyre (ata që nuk kanë asnjë lidhje me punën). Ky standard i dyfishtë nuk është thjesht padrejtësi është krim.
Në anën tjetër kemi dëgjuar shumë për zhvillimin ekonomik, për shifra e statistika dhe për investime duke pretenduar rritje strategjike, por asnjë fjalë për punëtorët e shtypur. Heshtja e tyre sigurisht që e legjitimon shfrytëzimin dhe e fsheh padrejtësinë.
Më të shtypurit janë punëtorët në ndërtimtari pothuajse 80% e tyre punojnë pa kontrata. Raportet e fundit në Serbi tregojnë që dhjetëra punëtorë ndërtimi vdesin çdo vit për shkak të mungesës së masave të duhura të sigurisë. Mosdhënia e pagave nuk është më padrejtësi është krim.
Në këtë realitet shfrytëzimi, puna sezonale shfaqet si forma më e institucionalizuar e pasigurisë. Ligjërisht e paraqitur si “angazhim i thjeshtësuar” në praktikë ajo shndërrohet në një zonë ku punëtori ekziston pa mbrojtje reale sociale, pa siguri shëndetësore dhe pa zë. Punëtori sezonal nuk hesht sepse nuk e di padrejtësinë, por sepse sistemi e ka mësuar se zëri i tij ka kosto me humbjen e punës, përjashtimin nga ndihma sociale dhe ndëshkimin institucional.
Mospërputhja ndërmjet Ligjit për Angazhimin e Thjeshtësuar në Punë Sezonale, Ligjit për Mbrojtje Sociale dhe rregulloreve përkatëse nuk është thjesht problem teknik, por tregues i dështimit sistemik në zbatimin e politikave sociale. Edhe pas ndryshimeve të bëra në vitin 2023, praktikat e qendrave të mirëqenies sociale vazhdojnë të jenë selektive dhe arbitrare, duke i trajtuar të ardhurat sezonale si bazë për përjashtim nga ndihma sociale.

