Në Kosovë, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 640 raste të reja me kancer të gjirit, shumica gra, por edhe burra.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në hapjen e fushatës sensibilizuese për Muajin e Ndërgjegjësimit Kundër Kancerit të Gjirit, theksoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore dhe diagnostikimit të hershëm.
“Me vetëkontroll dhe me kontrolle të rregullta mjekësore, ne e bëjmë hapin vendimtar drejt shpëtimit të jetës. Motoja e këtij viti është ‘Me ty fillon parandalimi!’”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se nga fundi i tetorit 2024, mamografitë dhe rikonstruktimi i gjirit ofrohen falas në institucionet publike dhe se për herë të parë është hartuar Plani Kombëtar i Skriningut për Kancerin e Gjirit 2026-2028.
Nga ana e tij, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se diagnostikimi i hershëm mbetet vendimtar dhe se investimet e fundit kanë dyfishuar kapacitetet e Klinikës së Onkologjisë, duke përmirësuar kushtet për pacientët.