Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në festivalin “Shqip Up Komedi” që po mbahet në Zvicër, ku nuk ka munguar as humori i tij karakteristik.
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Kurti ka tentuar të bëjë atmosferë, duke thënë me shaka se në Zvicër i ka “numrat më mirë se në Kosovë”.
“Edhe kuorum paska, numrat këtu i kam më mirë se në Kosovë”, ka thënë Kurti, duke iu referuar me humor dështimit për t’i siguruar 61 vota për formimin e Qeverisë së re në Kosovë.
Në hyrje të skenës, Kurti ka bërë edhe një batutë me dy nga të pranishmit, duke iu drejtuar:
“S’di pse po më dukeni si Albulena me Dimalin.”
Tutje, ai ka treguar edhe për një pyetje që ia kishte bërë një bashkatdhetar sapo kishte arritur në Zvicër.
“Më pyeti si arrita kaq shpejt. Në fakt, s’ka qenë vështirë, sepse ka më shumë fluturime prej Prishtinës për Zvicër sesa autobusa prej Prishtinës për Prizren, Gjakovë e Pejë”, ka shtuar ai me humor.
Fjalimi i Kurtit është pritur me duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa ngjarja ka zgjuar interes të madh në diasporën shqiptare në Zvicër.

